Participate Translate Blank profile picture

Intervistë me poeten nga Tetova-Vjollcë Berisha !

Published on

Skopje

Adrijana Velija

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh Me secilën varg, të lindësh në secilën fjalë

Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh Për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë

Kështu thoshte poeti ynë i madh Azem Shkreli. Por, c’do të thotë të qenit poete për Vjollcë Berishën.

“Është një dhuratë që ia bën perëndia dikujt, një ngujim i përjetshëm në ndjeshmëri, por edhe një kënaqësi e patreguar që vjen me atë që quhet “casti i krijimit”. vjollca.jpg

Por, kush është Vjollcë Berisha? Eshtë lindur ne Prishtine, me 15 gusht 1983. Qyteti i saj I lindjes fatkeqesisht eshte nga qytetet qe kane me shume nostalgji dhe mall mbi vete. Te tilla qytete ka pak ne bote. Thot keshtu sepse per fatin e keq te tij dhe te atyre qe e duan ate, ka pasur shume shperngulje, shume deshira per kthim e shume mall. Per shkak te tragjedise me te madhe te histrorise se re te Europes qe quhet Kosove, Prishtina, qyteti isaj femijerise u be nje objekt malli e nostalgjie. Nje nga ata qe paten fatin e rende te largohen nga ai qytet ishte edhe ajo. Tani jeton ne Tetove dhe eshte e cuditshme se ketu ajo takon qindra njerez qe kane mall dhe nostalgji per qytetin e saj lindjes. Ata kane kryer studimet atje dhe vazhdojne ta kene dobesi ate vend. Ka shume vite qe jeton ne Tetove. Ketu mbaroi gjimnazin, studimet,pjesen e mbetur te shkollimit.Është shume e lidhur me kete qytet, te cilin e konsideron si trurin e shqiptareve te Maqedonise. Ka studiuar per gjuhe dhe letersi shqipe ne Universitetin Shteteror te Tetoves.Ne vitin 2007 u zgjodh asistente ne katedren ku i mbaroi studimet. Ne vitin 2010 magjistroi ne fushen e letersise, perkatesisht per poezine e Ismail Kadarese. Tani po i ndjek studimet e doktorates ne Universitetin e Tiranes. Ka dy pasione te medha: poezine dhe muziken.

C’do të thotë për ju të qenit poete (artiste)? Të qenit poete natyrisht nuk është një damgë, po s’është as yll në ballë për t’u lëvduar. Është një mënyrë për të realizuar veten, një aftësi për t’u vënë një emër ndjenjave më të thella, të cilat njerëzit e zakonshëm kanë vështirësi t’i shprehin. Është një dhuratë që ia bën perëndia dikujt, një ngujim i përjetshëm në ndjeshmëri, por edhe një kënaqësi e patreguar që vjen me atë që quhet “casti i krijimit”. E tërë kjo dhuratë, e tërë kjo ekstazë, sigurisht që kërkon një shpagim, një sakrificë. Shpërfillja është monedha me të cilën jo rrallë poeti e paguan dhuratën që cuditërisht i është dhënë atij. Poeti jo rrallë, e sidomos në shoqërinë tonë, është një albatros bodlerian në kuvertë, i ekspozuar ndaj talljeve, nëncmimit... Megjithatë, ai e di thellësisht se kënga (poezia) janë gjithcka që i duhet për të fituar qetësinë dhe për ta rrezatuar tërë atë dashuri të madhe që i vlon përbrenda. Ai e di, madje është i sigurt, se bota i përket atij, sepse, sic do të thoshte krijuesi e mendimtari i njohur i viteve ’30, Ismet Toto, bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen.

Kur keni filluar ta zbuloni këtë pasion të fshehtë? Mua më duket se me këtë pasion kam jetuar gjithmonë, kam qenë rob i tij qëkur di për veten. Mbaj mend përpjekjet e mia për të rendur pas rimave e vargjeve qëkur kam qenë një shkollare e vogël. Ato rima naive e qesharake foljore më robëruan përjetë. Tani, pas kaq vitesh, kur i lidh gjërat e vogla, shoh se sa i vjetër dhe i fuqishëm ka qenë ky pasion në mua. Bie fjala, që në ditët e para të shkollës, ndërkohë që shoqet e mia mësonin mësimet e para, unë e kisha kaluar në tërësi, edhe atë dy-tri herë, librin e leximit. Deri në fund të vitit e mësoja përmendësh pothuajse cdo tregim e cdo vjershë të tij. Më vonë, në klasat më të larta, kur të gjitha librat e lëndëve të ndryshme të shkollës i merrja të përdoruara nga ndonjë nxënës i një gjenerate më të rritur, vetëm librin e gjuhës shqipe e doja të ri nga libraria dhe tregoja një kujdes të jashtëzakonshëm ndaj tij. Një nxitje tjeter natyrisht ishin lektyrat shkollore dhe ata libra të bukur që m’i bënin dhuratë prindërit e që kishin në vete histori nga më të bukurat, të cilat më pastaj unë i shkruaja e i rishkruaja në kokën timë për javë të tëra. Sa herë që i mendoj këto, gjëra shoh se sa herët, sa thellë dhe sa padiktueshëm është futur letërsia në jetën time të vockël

Ju jeni edhe ligjëruese në USHT dhe të qenit pedagog nuk është vetëm profesion, por edhe mision. E doni këtë punë që e bëni? Pajtohem plotësisht me konstatimin tuaj se të qenit pedagog është para së gjithash një mision. Një mësues (mendoj se ky emër u shkon të gjithë mësimdhënësve, pa marrë parasysh se ku japin mësim) është përgjegjës për atë që do të jetë nxënësi i tij nesër. Në sytë e cilitdo nxënës pedagogu duhet ta shohë ardhmërinë, ta shohë kombin e vet dhe të bëjë sa më shumë për të. Unë për vete jam e dashuruar në punën që bëj. Është profesioni më fisnik që kam mundur të zgjedh. I dua studentët e mi dhe bëj gjithcka që mundem për të ngjallur dashurinë e tyre për profsionin, për letërsinë, pasi jam e bindur se kjo dashuri është garancë se ata do të jenë më të mirët në fushën e tyre. Dua të binden se i janë përkushtuar një profesioni që i do tërësisht për vete dhe se ajo që duhet ta synojnë nuk duhet të jetë diploma e varur në mur, por krenaria e të qenit mjeshtër të punës së tyre.

Nëse ndonjëherë në jetë do të duhej të zgjidhnit midis të qenit ligjëruese dhe poete, ju për cilën do të përcaktoheshit? Është nga pyetjet më të vështira që më është bërë ndonjëherë. Nuk e kam menduar kurrë, por edhe tani që po e mendoj më duket si ato pyetjet e shpeshta që na bëheshin në fëmijëri: “Cilin do më shumë, mamin a babin?” Ne nuk kishim kurre pergjigje. E shumta skuqeshim, sepse s’kishim ndermend t’i matnim këto dashuri. Nuk di c’të them! Mbase s’mund të ekzistoja pa shkruar një varg në ndonjë cast kur të ndjeja si po më gufon shpirti!

C’do t’u thoshit për fund studentëve dhe lexuesve tuaj? Do t’u thosha se i dua shumë. Lexuesit, për të cilët kurrë s’do ta di në janë, në kanë lindur, sa janë në numër dhe c’ju komunikoj me vargjet e mia, i dua po aq sa studentët, pasi edhe atyre u lë pothuajse përditë dicka nga mendimet dhe ndjenjat e mia. Nëse do t’më kërkohej një porosi, do t’i kisha lutur që sa më shpesh ta bëjnë atë udhëtimin më të mrekullueshëm në botë: rrugëtimin drejt vetes për të parë se kush janë në të vërtetë dhe për të riparuar gjithcka që i pengon të jenë të përkryer.